Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 5 nëntor 2014

Kryeministri Rama inspekton ecurinë e projekteve për zhvillimin e turizmit në Malësinë e Kelmendit


Dje Kryeministri Rama vizitoi Malësinë e Kelmendit, për të inspektuar ecurinë e projekteve për kthimin e kësaj zone në një nga atraksionet e mëdha turistike të Shqipërisë.Gjarë kësaj vizitë ai shoqërohej nga Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i FSHZH-së dhe Z. Paulin Sterkaj, deputet i zonës.


Ndalesa e parë ishte pranë ballkonit panoramit, i cili ofron një pamje mahnitëse mbi Leqet e Hotit. Ndërtimi i këtij ballkoni panoramik është pjesë e rikonstruksionit të rrugës “Hani i Hotit-Tamarë-Vermosh- Doganë” që po kryhet nga FSHZH. Segmenti “Hani i Hotit-Tamarë” me gjatësi 30 km pritet të përfundojë në fund të muajit nëntor. Ndërsa punimet për segmentin “Tamarë –Vermosh” me gjatësi 29 km janë ndarë në dy lote, përkatësisht “Tamarë-Fushë Lojë” me gjatësi 14,7 km dhe “Fushë Lojë-Rruga Vermosh” me gjatësi 14,7 km. Rikonstruksioni i rrugës “Hani i Hotit- Tamarë”’ është mundësuar nëpërmjet financimit nga BERZH dhe BEI, ndërsa Tamarë-Vermosh Loti i patë nga KfW dhe IPA 2009, në kuadër të Programit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale.



Gjithashtu me fonde të BE nëpërmjet Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA CBC, FSHZH po zbaton projektin Monteal i cili do të mundësojë krijimin e rrugës panoramike, ku përfshihen ballkonet panoramike, çezma, tabela informacioni turistik me qëllim krijimin e një itinerari që e shoqëron turistin me informacion dhe i krijon mundësinë e shijimit të natyrës gjatë gjithë udhëtimit.


Gjatë udhëtimit, Kryeministri Rama u ndal në qendrën e Komunës Tamarë për të vizituar kantieret e punës për rikonstruksionin e rrugës “Tamarë-Fushë Lojë”. Gjatë kësaj vizite ai u prit nga Kryetari i komunës Z. Gjeto Dukaj dhe banorë të shumtë të zonës.


Në takimin me banorët e Tamarës, Kryeministri foli për projektin e Qeverisë për ta kthyer këtë trevë në destinacion turistik jo vetëm dimëror, por të shfrytëzueshëm përgjatë gjithë vitit dhe që peizazhi natyror të gërshetohet me karakteristikat alpine të zonës.


“Ramë dakord edhe me kryetarin komunës për të vazhduar këtë projekt që ka nisur, për t’i dhënë mundësi të gjithë atyre që kanë këto njësi tregtare që të mund t’i kthejnë në identitet, duke ju dhënë një projekt, duke bërë dhe një financim ne, në mënyrë që të vendosen të gjitha çatitë siç kanë qenë dikur, në mënyrë që të vishen me gurë të gjitha fasadat,” - u shpreh Kryeministri.


Një projekt shumë i rëndësishëm për rilindjen e kësaj treve është projekti i integruar i Alpeve. Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar me Malin e Zi, nëpërmjet fondeve IPA të BE do të realizohet edhe segmenti rrugor për në pikën e kalimit kufitar të Grabomës, me Malin e Zi. Ky fluks trafiku do të ketë edhe një impakt në përmirësimin dhe diversifikimin e ekonomisë në këto zona.


“Është një projekt shumë i madh dhe kompleks, projekti që kemi për gjithë zonën e Alpeve. Rruga do të shkojë e do të lidhet e tëra bashkë me komunitetin e shqiptarëve të Plavës dhe Gucisë. Në projektin e integruar të Alpeve përfshihet Mali i Zi, përfshihet dhe Kosova. Ne do të mbështetemi shumë fort tek njerëzit e zonës, sepse ka një potencial turistik shumë të madh natyror, por ka edhe një pasuri shumë të madhe kjo zonë, që janë njerëzit dhe që është aftësia juaj për mikpritje,” – u shpreh Rama.