Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 28 tetor 2014

Zhvillimi i turizmit mes sfidave dhe mundësive


Intervistë e Drejtorit Ekzekutiv të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci, për Agjencinë Telegrafike Shqiptare



Foto Agim Dobi


Gazeta prestigjoze angleze “The guardian”, e renditi rivierën shqiptare në 20 destinacionet më të mira për t’u vizituar. Gjithashtu revista “Lonely Planet” e ka renditur në vendin e katërt nga 8 vendet që ajo do ju rekomandonte lexuesve të saj. Të njëjtin vlerësim ka dhënë edhe gazeta “New York Times” duke e vendosur në top listën e destinacioneve për t’u vizituar gjatë vitit 2014.
Ky interesim për Shqipërinë, përkon me kohën kur sipas Rrjetit të Organizatës Botërore të Turizmit, një e treta e të gjithë turizmit ndërkombëtar është e orientuar drejt zonës së mesdheut, duke qenë një potencial real ekonomik për vendin.


Ky potencial ende i pashfrytëzuar plotësisht është vënë në qendër të vëmendjes së Programit të Qeverisë Shqiptare si një ndër sektorët prej të cilit pritet një kontribut në rritje në ekonominë kombëtare.


Një fakt i tillë evidentohet jo vetëm në qëndrimin publik të qeverisë dhe strategjisë së re të zhvillimit të turizmit, por edhe në rritjen e dukshme të investimeve me karakter turistik nga buxheti i shtetit nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Fondit për Zhvillimin e Rajoneve. Për të mësuar më shumë mbi këto investime biseduam me Drejtorin Ekzekutiv të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci rreth angazhimeve konkrete të institucionit që ai drejton.


ATSH: Z. Beci institucioni që ju drejtoni është një ndër zbatuesit e rëndësishëm të investimeve infrastrukturore në vend. A mund të na tregoni për vëmendjen që i kushtohet turizmit në shpërndarjen e këtyre investimeve?


Beci: Turizmi është identifikuar tashmë si një sektor me një potencial të madh jo vetëm për rritjen e cilësisë së jetës të banorëve që jetojnë në këto zona, por edhe në shfrytëzimin e potencialit ekonomik që ky sektor mbart për sipërmarrjen e madhe dhe atë të vogël, si dhe për punësimin dhe uljen e varfërisë. Këto janë disa nga arsyet kryesore që Fondi Shqiptar i Zhvillimit prej kohësh ka investimet në funksion të turizmit si pjesë përbërëse në planifikimin dhe realizimin e investimeve.


FSHZH nëpërmjet programit të rrugëve rurale dhe programeve të tjera në zbatim ka investuar drejtpërdrejtë në këtë fushë. Në këtë kuadër një sërë investimesh në segmente rrugore përgjatë vijës bregdetare, zonave turistike malore apo objekte të trashëgimisë kulturore janë realizuar apo janë në punë e sipër. Ndër to mund të përmendim rrugën e Borshit, rrugën e Kepit të Rodonit, sistemimin e shëtitores Velipojë, rrugën e Kalasë së Lezhës etj.


Ajo që duhet nënvizuar është shfrytëzimi i një qasje të re në konceptimin e këtyre ndërhyrjeve, asaj rajonale apo ndërkufitare. Një qasje kjo që është ushqyer prej politikave të Qeverisë Shqiptare si dhe prej mbështetjes së Bashkimit Europian.


ATSH: Cila është kjo përqasje e re juaja dhe më konkretisht cilat janë ndërhyrjet e reja që ju po kryeni apo keni në plan?


Beci: Siç e theksova dhe më sipër, Qeveria Shqiptare ka parashtruar një vizion të ri në përputhje dhe me prioritetet e BE-së, çka ka orientuar aktivitetin e FSHZH në mënyrë më të qartë dhe të drejtpërdrejtë drejt zhvillimit të zonave turistike si një potencial i madh ekonomik për vendin. Në këtë drejtim edhe përqasja e investimeve tona si agjenci publike është orientuar drejt turizmit në disa drejtime.


Së pari kemi shtuar komponentët estetikë me funksion turistik në objektet që janë në zbatim. Rasti me tipik është ai i segmentit rrugor për në Vermosh. Pjesa e parë e këtij segmenti që po përfundon, Hani i Hotit-Tamarë, është duke u shoqëruar me ballkone panoramike, vend pushime, çezma, tualete publike, sinjalistikë turistike, tabela informative, vend kampimi dhe pikniku. Të gjitha këto synojnë që rruga të mos jetë thjesht dhe vetëm një mënyrë për të shkuar në një destinacion turistik, por të shndërrohet ajo vete në një udhëtim turistik duke e bërë rrugën pjesë të kësaj aventure. Këto elemente që po testohen në këtë segment, në vijim do të jenë të pranishme në të gjitha rrugët me destinacion turistik që ne po ndërtojmë apo do të fillojmë së shpejti. Gjithashtu me qëllim shtimin e elementëve estetikë dhe me funksion turistik jemi duke realizuar disa pjesë të projektit të Qeverisë Shqiptare për gjelbërimin e segmenteve rrugore kombëtare si p.sh rruga hyrëse e Tiranës deri në mbikalimin e Rinasit, rruga nacionale nga Plazhi i Plepave deri në Vlorë etj, që së bashku me një sërë ndërhyrjesh rehabilituese përmes sistemimeve dhe ripyllëzimin e zonës së Krastës në Krujë, zonën e Liqenit artificial në Tiranë, bregu i Liqenit në Pogradec etj, synojnë të rikthejnë hapësirat e gjelbra për vizitorët dhe për banorët. Kanë filluar gjithashtu procedurat për ndërhyrje në akse të tjera të rëndësishme kombëtare siç janë Levan – Tepelenë – Kakavijë, Lushnje – Berat etj., për të cilat janë alokuar edhe fondet nga Qeveria.


Së dyti jemi duke planifikuar ndërhyrje me infrastrukturë rrugore në segmente që zbulojnë dhe vënë në efiçiencë destinacione turistike. Të tilla janë segmentet rrugore Poro-Pishporo-Bregdet, Shëngjin – Kune, Bogë – Qafë Thore (rruga për në Theth) etj, të cilat janë në punë. Sapo kanë filluar punimet në lotin e dytë Tamarë –Vermosh, në dhjetor fillojmë punimet edhe për rrugën e Dajtit, e cila duke u lidhur me dy segmentet tashmë të përfunduar, shkon deri në Shëngjergj. Në proces fizibiliteti është dhe rruga e Lumit të Vlorës deri në Qeparo, që do të funksionojë si një unazë turistike për zonën e bregdetit duke shërbyer jo vetëm për akses më të lehtë të rajoneve jugore në bregdet, por edhe për lehtësim të trafikut gjatë sezonit si dhe diversifikim të ofertës turistike duke shtuar edhe turizmin malor si pjesë e atij bregdetar. Por një nga ndërhyrjet më të drejtpërdrejta me theks turistik është “Lungomarja e Vlorës”. Me iniciativën e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama, nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar ne kemi realizuar një nga projektet teknike më ambicioze që do trasformojë krejt zonën duke e orientuar drejt turizmit funksional.


ATSH: Meqenëse u përmend Lungomare do ishte me interes të dinim se kur fillon realizimi i këtij projekti?


Beci: Projekti i “Lungomares” apo vija bregdetare e Qytetit të Vlorës, është programuar të zhvillohet në dy lote: loti i parë që shtrihet nga Porti deri tek Tuneli i Ujit të ftohtë, me një gjatësi prej rreth 4 km, dhe loti i dytë që shtrihet nga Porti deri tek Pylli i Sodës. Për lotin e parë ka përfunduar projekti teknik dhe kanë filluar procedurat e prokurimit për punimet infrastrukturore nga ana e Delegacionit të BE-së që është edhe financuesi i këtyre punimeve. Ndërkohë që edhe për komponentin e pyllëzimit dhe të gjelbërimit dhe për mbushjen me rërë për krijimin e plazheve të reja, që financohen nga Qeveria Shqiptare është hapur procesi i prokurimit. Kontrata e punimeve pritet të nisë në fillim të vitit 2015. Ndërkohë që loti i dytë është ende në fazën e projektimit.


Po për të vazhduar më tej linjën e përqasjes sonë drejt zhvillimit të turizmit do të ndaloj tek pika e tretë dhe më e rëndësishme. FSHZH në funksion të strategjisë së Qeverisë për ndërhyrje infrastrukturore të integruara, është duke përgatitur plane paraprake të ndërhyrjeve në nivel rajonal. Aktualisht sapo është firmosur kontrata e konsulencës për përgatitjen e Masterplanit të Alpeve, që do të hedhë baza të shëndosha për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone në harmoni dhe bashkëpunim me Kosovën e Malin e Zi.


Masterplani ngrihet në zbatim të strategjisë së zhvillimit të turizmit të Qeverisë Shqiptare, dhe realizohet në disa faza. Faza e parë është vlerësimi i situatës aktuale, që do të shoqërohet edhe me përgatitjen e një informacioni të detajuar gjeografik si dhe vlerësimi i kërkesës turistike për zonën; faza e dytë është përgatitja e një programi ndërhyrjesh për zhvillimin e komunitetit dhe turizmit çka përfshin, plane urbanistike, përcaktim ndërhyrjesh infrastrukturore dhe studime fizibilitetiti e projekte teknike. Dhe faza e tretë është financimi dhe realizimi i këtyre projekteve.


Paralelisht, në zonën e Bregdetit të Jugut në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Njësitë e Qeverisjes Vendore dhe deputetin e zonës është përgatitur Plani i Investimeve Kapitale të Bregdetit të Jugut. Ky plan paraqet një skanim të projekteve prioritare të infrastrukturës parësore vendore nga ku kanë dalë 136 prioritete të grupuara në 6 kategori: rrugë urbane dhe rurale, ujësjellës-kanalizime, rikualifikim urban, rehabilitimin dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, projekte mjedisore dhe projekte të ndryshme.


Aktualisht është kryer prioritizimi i projekteve të propozuara si një mjet që do të ndihmojë në hartimin e planeve afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të investimeve të Qeverisë Shqiptare në Bregdetin e Jugut.Për të dy masterplanet e mësipërme janë duke u finalizuar procedurat për financimin e bllokut të parë të projekteve prej 37 milion euro nga Banka e Këshillit të Europës për Zhvillim, dhe zbatimi i projekteve të para do të nisë në fillim të vitit 2015.Së katërti FSHZH në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës janë duke u ndërmarrë një sërë projektesh për rivitalizimin e objekteve të trashëgimisë kulturore. Aktualisht jemi duke restauruar dy ura historike në Qarkun e Beratit: Ura e Velabishtit dhe Ura e Goricës. Ndërsa me fondet IPA të BE jemi duke realizuar projektin për restaurimin dhe muzealizimin e Fototekës Kombëtare “Marubi”. Synimi i ndërhyrjes në këtë objekt është përmirësimi dhe modernizimi i fototekës Marubi dhe futja e saj në një rrjet të përbashkët me trashëgimi të tjera kulturore të rajonit të Adriatikut. Nëpërmjet këtij projekti, Fototeka Kombëtare “Marubi”, do të transformohet në një institucion kulturor bashkëkohor, duke vendosur standarde të reja për funksionimin dhe drejtimin e saj.


ATSH: Përveç mungesës së infrastrukturës, me çfarë sfidash të tjera përballet sektori i turizmit në mënyrë që të konkurojë në tregun rajonal që siç e dimë ka një përvojë të madhe në këtë drejtim?


Beci: Mendoj që ndër sfidat kryesore që frenojnë kthimin e Shqipërisë në një potencial turistik për të ndarë një pjesë të tortës në fitimet e turizmit mesdhetar, janë mangësitë në planifikimin e zhvillimit në nivel rajonal, infrastruktura e dobët, dhe menaxhimi i mbetjeve.Planifikimi i zhvillimit ka munguar duke i lënë dorë të lirë investimeve private kaotike, apo investimeve publike të fragmentarizuara dhe pa mbështetjen e duhur financiare.Infrastruktura si rrjedhojë e fragmentarizimit të investimeve është e degraduar dhe ende ofron një shërbim të cunguar të transportit dhe furnizim sporadik dhe jo të plotë me ujë.


Ndërkohë që Shqipëria është një nga vendet më të pasura me burime ujore në Europë, ende sot ne nuk arrijmë të sigurojmë një furnizim me ujë të pijshëm 24 orë për zonat turistike. E njëjta sfidë është edhe për funizimin me energji elektrike dhe sidomos me futjen e energjisë alternative si pjesë e investimeve. Për shembull ne sapo kemi testuar me sukses përdorimin e ndriçuesve fotovoltaikë që punojnë me energji diellore dhe s’ka asnjë pagesë gjatë gjithë periudhës duke siguruar pavarësi të plotë të ndriçimit.


Gjithashtu një problem që sa vjen e rritet është menaxhimi i mbetjeve, që si rrjedhojë e shtimit të numrit të turistëve dhe mungesës së sistemeve efiçiente të largimit dhe depozitimit të tyre,po kthehet në një rrezik për ndotjen e mjedisit dhe ujit të detit.Në këto kushte mendoj se përqasja e Qeverisë Shqiptare për planifikim rajonal të integruar të zhvillimit dhe mbështetja e plotë me investime për këto plane do të bëjë një transformim të shpejtë të rajoneve turistike duke ofruar kushtet për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm.