Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë më, 12 tetor 2014

Kryeministri Rama dhe Z. Beci inspektojnë punimet për restaurimin e Urës së Goricës


Kryeministri Rama, gjatë vizitës së tij të radhës në qytetin e Beratit për të parë ecurinë e investimeve që janë pjesë e programit “Rilindja e Qyteteve’’ u ndal për të inspektuar edhe punimet restauruese të Urës së Goricës. Gjatë kësaj vizite ai shoqërohej edhe nga Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Z. Benet Beci.


Restaurimi i Urës së Goricës, i shpallur monument kulture i shkallës së parë, është një nga investimet e fundit të FSHZH-së në Qarkun e Beratit. Restaurimi i kësaj ure po kryhet në kuadër të Projektit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale me financim të OFID dhe Qeverisë Shqiptare. Punimet kanë filluar në shtator dhe pritet të zgjasin 5 muaj. Vlera e këtij projekti është 17.662.028 Lekë.



Ura e Goricës mbi lumin Osum është një nga urat e gurit më të mëdha në trevat shqiptare, me disa faza ndërtimi në periudha të ndryshme. Në mesin e shekullit të XVII kjo urë përmendet nga udhëtari turk, Evlija Çelebiu i cili shprehet se ajo ka nëntë harqe, prej guri, tetë këmbëza të ngulura thellë në ujë si dhe dy këmbëza të forta anësore në brigjet e lumit. Gjithashtu Çelebiu vijon se ura ishte e shtruar me trarë të thatë dushku të prerë në Malin e Thatë të Goricës. Më vonë në vitin 1777 sundimtari turk Ahmed Kurd Pasha i shtoi urës disa qemere prej guri. Në vitin 1888 gjatë muajit dhjetor ura u dëmtua nga prurjet e lumit Osum, ndërsa në vitet 1914-1918 ajo u dëmtua përsëri gjatë Luftës së Parë Botërore. Sot Ura paraqitet në gjendjen e pas riparimeve të Luftës së Parë. Ura ka gjatësi 127 metra dhe ngrihet mbi 7 qemere rrethore, midis të cilave janë çelur dritaret shkarkuese. Në mesjetë ura lidhte Beratin me Janinën, Gjirokastrën edhe Vlorën, me këtë të fundit nga Qafë – Sinja. Në qytet ura lidhte qendrën e qytetit me lagjen Goricë. Duke qenë një vepër monumentale dhe tërheqëse, Ura e Goricës ka tërhequr edhe vëmendjen e mjaft udhëtarëve dhe artistëve të njohur të shekujve të kaluar.


Kjo ishte edhe arsyeja e investimit në këtë urë, për t’i rikthyer asaj vlerat e mëparshme, duke e bërë pjesë të monumeneteve të kulturës të aksesueshme ndaj vizitorëve të shumtë të Beratit, qytetit të UNESCO-s.


Duke folur për këtë investim Kryeministri Rama tha se: “’Ndërkohë ne po punojmë hap pas hapi, për të vazhduar të nxjerrim në pah thesaret e këtij qyteti, duke filluar nga ura e famshme e Goricës, ku praktikisht po ribëjmë tërësisht kalldrëmin, po bëjmë një pastrim rrënjësor, po përgatisim gjithë strukturën për ta mbrojtur urën nga erozioni, duke liruar po ashtu linjat elektrike dhe ujësjellësin që është sipër saj dhe duke i montuar ashtu siç duhet, duke bërë ndriçimin e plotë të urës dhe sigurisht, duke përfituar edhe nga nxjerrja në pah edhe e një harku tjetër të urës, në mënyrë që ai thesar i Beratit të bëhet një pikë e fortë tërheqjeje për turistët dhe për vizitorët. E njëjta gjë për urën e Velabishtit, ku edhe aty po bëhet një investim i rëndësishëm.”