Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 8 tetor 2014

Kryeministri Rama inspekton punimet për rindërtimin e mbikalimit të Shkozetit, dhe rehabilitimin e përmasës së gjelbër përgjatë segmentit “Durrës Plepa-Hyrje Vlorë”


Kryeministri Rama inspektoi punimet për rindërtimin e mbikalimit të Shkozetit, pjesë e projektit për bypass-in e Durrësit. Punimet për ndërtimin e kësaj nyje të rëndësishme rrugore në kryqëzimin që lidh autostradën Tiranë-Durrës me Bypass-in e Durrësit dhe akset nacionale drejt jugut të vendit kanë rifilluar në muajin janar 2014. Projekti përfshin edhe kolektorin e ujërave, me gjatësi 1.5 kilometra në zonën e Plepave në Durrës.


Kryeministri Rama u ndal edhe përgjatë autostradës ku ka nisur projekti për rehabilitimin e përmasës së gjelbër përgjatë segmentit “Durrës Plepa-Hyrje Vlorë”. Gjatë kësaj vizitë ai shoqërohej nga Z.Edmond Haxhinasto, Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës dhe Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.



Projekti i cili po zbatohet nga FSHZH është një investim i Qeverisë Shqiptare përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Projekti synon krijimin e barrierave të gjelbra në të dyja anët e rrugës, nëpërmjet një teknologjie moderne që krijon qëndrueshmëri ndaj kushteve të mjedisit, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë së skarpateve nga rrëshqitjet. Z. Beci lidhur me projektin sqaron se janë: "106 kilometra, ka 13 rotonda që do të gjelbërohen dhe do të kenë vepra arti dhe që kanë edhe rreth 2 mijë pemë, 16 mijë shkurre dekorative që do të shoqërojnë gjithë pjesën e projektit. Kështu që nga Plepat deri në Vlorë shkohet me një plotësim të pjesës panoramike të gjelbërimit."


Ndërsa për Kryeministrin Rama, ndonëse ky është një nga segmentet më të rëndësishme turistike të vendit, është konceptuar në ndërtimin e tij jo si i tillë, ndaj dhe projekti do t’i sigurojë si standardin e sigurisë, ashtu edhe atë estetik.


Kryeministri informoi se projekti për gjelbërimin do të shoqërohet edhe me prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në anë të rrugës, përgjatë gjithë gjatësisë së tij.


“Rindërtim total i të gjithë përmasës së gjelbër që këtu nuk ekziston, në të gjitha rotondat dhe gjithë anët e rrugës. Ndërkohë kemi diskutuar për të vendosur vepra arti nëpër rrethrrotullime. Pasi, kjo është një rrugë turistike që vetëm turistike nuk mund të quhet, në kushtet që është konceptuar dhe ndërtuar copa-copa dhe me gjithfarë lloje plehrash e magazinash natyrore. Bëjmë një transformim absolutisht rrënjësor.”, u shpreh Kryeministri.