Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 2 tetor 2014

Rehabilitimi i rrugës hyrëse të kryeqytetit


Kryeministri Edi Rama inspektoi, ecurinë e punimeve në rehabilitimin e rrugës hyrëse të kryeqytetit, pjesë e superstradës Tiranë – Durrës. Gjatë kësaj vizite ai shoqërohej edhe nga Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Projekti, që po realizohet nga FSHZH, është investim i Qeverisë Shqiptare përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve me vlerë rreth 280 milionë lekë. Me anë të këtij projekti parashikohet transformimi rrënjësor i hyrjes së kryeqytetit, nga Qafë - Kashari deri në hyrje të Tiranës, bazuar në parametrat dhe standardet europiane.


Punimet rehabilituese konsistojnë në ndërhyrje përgjatë superstradës me qëllim sistemimin e të gjithë instalimeve që ndodhen në të duke përfshirë kabllot e instalimeve elektrike të institucioneve private dhe shtetërore, kabllot me fibra optikë etj. Më tej do të vijohet me sistemimin e hapësirave të gjelbra ku ka filluar puna për shtrimin e tubacioneve në mes ku do të ketë lule, trëndafila të egër etj.



Duke vlerësuar punën e deritanishme, Kryeministri theksoi se: “ me këtë projekt, kryeqyteti do të ketë një hyrje të një kryeqyteti europian, me të gjithë aksesorët dhe mbi të gjitha, me një përmasë të re, të gjelbër, absolutisht të pa parë ndonjëherë në rehabilitimin e rrugëve kombëtare të Shqipërisë. Pasi kjo, është një rrugë kombëtare, përveç se një rrugë që hyn në Tiranë. Ndërkohë, me siguri, do shtrihemi kudo, me të njëjtat standarde, me të njëjtin sens estetik dhe me të njëjtën formë thithëse për vizitorët, por edhe nxitëse e motivuese për ata që e jetojnë qytetin”.