Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 22 shtator 2014

Modernizim sistemit të ndriçimit të rrugëve të vendit


Për herë të parë në rrugët e vendit vendoset një teknologji e re për ndriçimin. Sot, në prani të Kryeministrit Edi Rama u bë testimi i këtij sistemi, gjatë inspektimit të rikonstruksionit të rrugës Prush-Gropaj të komunës Vaqar në Tiranë, investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Kryeministri u njoh nga afër me avantazhet e sistemit të ri.


“Është hera e parë që ne po eksperimentojmë një teknologji të re të ndriçimit rrugore. Është fjala për fotovoltaikët. Kanë independencë disa ditore, edhe në kohë me shi. Siguron një autonomi dhe s’ka nevojë për ndriçim dhe për pagesat që duhet të bëjë komuna, që shpesh herë janë të rënda për buxhetin e komunës. Kjo s’ka asnjë pagesë gjatë gjithë periudhës dhe siguron pavarësi të plotë të ndriçimit,” – u shpreh Drejtori i FSHZH-së, Benet Beci.



Kryeministri Rama, ndërsa vlerësoi projektin, theksoi se me futjen në përdorim të një teknologjie të re edhe për Europën, synohet t’i jepet zgjidhje përfundimtare disa problematikave dhe njëherësh, e shndërron Shqipërinë në një model në këtë drejtim.


“E para, kjo është energji e gjelbër e plotë që futet. E dyta, do na zgjidhë problemin e tmerrshëm të vandalizmit dhe të vjedhjes së vazhdueshme të kabllove nëpër rrugë. E treta, kjo na zgjidh problemin e shpenzimeve të pushtetit vendor, që praktikisht i ka të detyrueshme dhe që, nga ana tjetër, është një akumulim i madh borxhesh në raport me kompaninë e shpërndarjes, sepse nuk paguajnë. Nuk paguajnë për pamundësi kryesisht. Sidomos komunat e kanë të pamundur që të paguajnë shpenzimet. Në qoftë se ne futemi me këtë teknologji, bëjmë një zgjidhje të përgjithshme dhe e transformojmë praktikisht Shqipërinë në një model, sepse edhe në Europë tani ka filluar të futet kjo teknologji dhe hyjmë në një fazë komplet të re,” – u shpreh Kryeministri.


Në Vaqar, Kryeministri Rama u ndal edhe në fabrikën e prodhimit vendas të shtyllave të ndriçimit fotovoltaik. Duke bashkëbiseduar me drejtuesit e fabrikës, Kryeministri u shpreh se është shumë e rëndësishme një transformim përsa i përket ndriçimit në rrugët e vendit, të cilat në më të shumtën e rasteve janë të zhytura në errësirë.


“Është shumë e rëndësishme për ne që të bëjmë një transformim të madh në pjesën e ndriçimit në rrugë. U bë qesharake. Gjithandej errësirë nëpër autostrada, gjithë ato investime.”


Kryeministri theksoi se prodhimi vendas përbën përparësi, për shkak të kostos më të ulët dhe mundësisë së mirëmbajtjes së tij.


(marrë nga:www.kryeministria.al)