Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 18 gusht 2014

Kryeministri Rama vizitoi në fundjavë fshatrat e Bregut, Dhërmiun e Borshin


Kryeministri Rama vizitoi në fundjavë fshatrat e Bregut, Dhërmiun e Borshin, ku u takua me banorë e drejtues vendor si dhe pa nga afër rrugën e saporindërtuar "Qazim Pali".


Dhërmiu ishte pikëtakimi i parë i Kryeministrit me kampin e vullnetarëve, fryt i programit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, për plazhe të pastra. Më pas Kryeministri vizitoi fshatin turistik të Borshit, hyrja në plazhin e të cilit do të bëhet tashmë nëpërmjet rrugës “Qazim Pali” të saporikonstruktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Gjatë kësaj vizite ai u shoqërua edhe nga Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.



Segmenti rrugor “Qazim Pali” me gjatësi 2 km që lidh rrugën nacionale Sarandë-Vlorë me Plazhin e Borshit, është një investim me vlerë mbi 100 milion lekë, i rehabilituar në kuadër të Projektit “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”, me financim të Qeverisë Shqiptare dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. Rruga e re ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e lëvizjes, jo vetëm për banorët e fshatrave Qazim Pali e Borsh por edhe për turistët e shumtë, vendas e të huaj, që frekuentojnë Plazhin e Borshit, duke e bërë edhe më tërheqës këtë plazh dhe duke ndikuar në shtimin e të ardhurave të bizneseve të vogla familjare që ofrojnë shërbime në këtë plazh.


Në takimin me banorët e Borshit, Kryeministri ndër të tjera u shpreh se: “Kemi një bregdet shumë më të pastër, këtë na e thonë të gjithë, krahasuar me vitet e kaluara dhe me vitin e kaluar, por ky është vetëm fillimi. E më e rëndësishme është sigurisht, ajo që përmendi edhe drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, edhe zëvendësministri i Zhvillimit Urban, që lidhet me këtë projekt të integruar jo vetëm urban, por edhe ekonomik dhe social, që ne kemi vënë në lëvizje, që do të harmonizohen edhe me rezultate që do të marrim nga konkursi ndërkombëtar, që do ta çelim në shtator, për vijën bregdetare të Bashkisë së re të Himarës.”


Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka identifikuar rreth 160 projekte rehabilituese nё infrastrukturë, ku përfshihen ujësjellës dhe rrugë, që ndikojnë drejtpërdrejtë nё zhvillimin e turizmit, si dhe nё rikonstruksione tё trashëgimisë kulturore dhe tё gjitha burimet e interesit turistik dhe zhvillimor tё zonës.