Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

5 Gusht 2014

Prezantim Publik i Projektit të Zbatimit për Vijën Bregdetare të Vlorës, më 5 Gusht në Sheshin Pavarësia


Më datë 5 Gusht në sheshin “Pavarësia” në Vlorë u zhvillua një aktivitet publik me qëllim prezantimin e projektit të zbatimit të Vijës Bregdetare të Vlorës nga studio belge XDGA. Në aktivitet ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni. Pas prezantimit të projektit znj. Gjermeni mbajti një fjalim të shkurtër mbi oportunitetet që projekti i sjell Vlorës , si dhe vlerësimin e tij si një projekt pilot i cili mund të shërbejë si shëmbull për ndërhyrje të tjera urbane nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizimit. Në fjalimin e tij Kryeministri e vuri theksin tek nevoja për të vazhduar rrugëtimin e transformimit të Vlorës në epiqendrën e turizmit bregdetar duke inkurajuar zhvillimin e konkurseve të tjera për rigjenerimin e zonës përreth qytetit.


Aktiviteti vjen si finalizim i një punë 10 mujore të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Atelier Albania. Në këtë rrugëtim është e rëndësishme të përmendet edhe vetë proçesi. Studio fituese XDGA ka bashkëpunuar ngushtë përgjatë këtyre muajve me studion fituese vendase METROPOLIS. Studio vendase përgatiti një analizë dhe raport të thelluar mbi situatën sociale, ekonomike dhe urbanistike të qytetit të Vlorës. Ky input lokal ishte mjaft i rëndësishëm në përzierjen e eksperiencës së huaj me nevojat dhe dëshirat e qytetarëve të Vlorës. Studio fituese XDGA ka bashkëpunuar gjithashtu me studion e mirënjohur italiane të inxhinierisë IRD, e cila përtej rilevimit të detajuar të të gjitha hapësirës ku shtrihet projekti, ka kryer një seri studimesh inxhinierike për përmirësimin e sistemeve urbane të qytetit, me vëmëndje të veçantë tek studimi i trafikut si dhe ndikimi që rruga e re do të ketë në shëtitore.



Projekti është hartuar duke marrë feedback të vazhdueshëm nga palët e interesuara në këtë proçes. Përtej bashkisë e cila ka qënë pjesë e rrugëtimit që në krye të herës, janë zhvilluar një sërë dëgjesash publike me qytetarë, arkitektë, inxhinierë e urbanistë vlonjatë. Është për tu vlerësuar se disa nga propozimet dhe sugjerimet e grupeve të interesit kanë pasuruar projektin dhe kanë kontribuar në rafinimin dhe jetësimin e idesë - në projektin e detajuar i cili prezantohet sot për miratim. Forma e shëtitores ka ndryshuar lehtësisht gjatë fazës së projektimit për t'ju përshtatur analizës dhe kontekstit të qytetit. Mobilimi urban dhe ndricimi janë trajtuar si elementë të rëndësishëm të projektit dhe i është dhënë vëmendje e veçantë edhe pas sugjerimeve të bëra në dëgjesat publike. Pemët mbeten pika e fortë e projektit ku pishat e pyllit të Sodës, elemente këto të përzgjedhur nga arkitektët për tu përdorur përgjatë shëtitores, janë përzierë me pemët ekzistuese si palmën apo eukaliptin duke ruajtur memorien e hapësirës e njëkohësisht duke i dhënë impakt dhe rëndësi të veçantë gjelbërimit.


Rruga është gjithashtu një element tejet i rëndësishëm i këtij projekti. Vlen të përmendet se sekreti në zgjidhjen e problemit të trafikut në Vlorë është gjetja e një sistemi të mirë menazhimi i cili shkon përtej projektit në fjalë. Në thelb ecuria e ndërtimit të by-passi-it do të ndihmojë në shfryrjen e trafikut tranzit nga qyteti. Gjetja e një balance midis projektit të rrugës sot dhe projekteve infrastrukturore të së ardhmes është e vetmja mënyrë për të qënë eficient në investimet publike. Në këtë kontekst studio XDGA në bashkëpunim me inxhinierët e IRD propozojnë ruajtjen e tre korsive të rrugës së sotme, por menazhimin e kontrolluar të trafikut më dy krahë lëvizjeje me nga një korsi, si dhe një korsi e tretë e rezervuar për kthesa majtas.


Arkitektët i kanë kushtuar vëmëndje të veçantë edhe mundësive për partneritete publike-private në hapësirat publike përgjatë vijës bregdetare. Ky potencial ende i pashfrytëzuar në Vlorë do të përfshijë pjesën e hapësirës publike nga pallatet e deri tek rruga ku restorantet e baret e shumta do të kenë mundësi të bashkëpunojnë me bashkinë për shfrytëzimin e përkohshëm të kësaj hapësire duke sjellë aktivitete interesante për qytetarët e Vlorës por edhe të ardhura për bashkinë.


Në përfundim është e rëndësishme të përmendet se qëllimi i këtij projekti - përtej vlerave që mbart në përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët e Vlorës - është ilustrimi se si projektet urbane mund të kenë një impakt të madh për të gjithë qytetin. Projekti i shëtitores së Vlorës pretendon të jetë një pilot i përmirësimit të qyteteve shqiptare nëpërmjet projekteve publike. Impakti i tij shkon përtej krijimit të një hapësire të re publike për qytetarët; objektivi është krijimi i një hapësire e cila përmirëson potencialin turistik por edhe krijon oportunitete për aktivitete të vogla e të mesme ekonomike; pra rikonceptimi i investimit publik si një investim në infrastrukturën e pëlhurës urbane, një investim i cili edhe me një kosto relativisht të ulët mund të ketë nje impakt të madh.


Prezantimi i plotë i projektit të zbatimit për vijën bregdetare të Vlorës


(Marrë nga faqja zyrtare e AKPT)