Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Elbasan, më 1 gusht 2014

Inaugurohet përfundimi i punimeve në rrugën “Balëz-Letan”


Sot në fshatin Letan të komunës Bradashesh, në rrethin e Elbasanit, bë inaugurimi i përfundimit të rikonstruksionit të rrugës “Balëz-Letan”. Të pranishëm në këtë takim ishin Z. Niko Peleshi, Zv/Kryeministër dhe Kryetar i Këshillit Drejtues të FSHZH-së, Z. Qazim Sejdini, Kryetar i Bashkisë Elbasan, Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i FSHZH-së, Znj. Evis Kushi, deputete, si dhe banorë të zonës përreth.


Z. Peleshi në bashkëbisedim me banorët, ndër të tjera tha: “se ky është një takim i veçantë, pasi është takimi i parë që bëjmë me banorët pas aprovimit të ligjit mbi reformën territoriale. Unë ju siguroj se rruga është fillimi e jo fundi i ndërhyrjeve në zonë.”



Z. Sejdini duke vlerësuar cilësinë e punimeve të rrugës, vuri dukje se “kjo është një cilësi që Fondi e ka treguar edhe në ofrimin e asistencës për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve me vlerësimin e projekteve për financim nga grantet konkurruese.”


Në mbështetje të fjalës së Z. Sejdini, Z. Peleshi tha se shumë shpejt pranë FSHZH qeveria do të kalojë një fond të veçantë për hartimin e projekteve teknike që do të dërgohen nga njësitë e reja qeverisëse duke garantuar cilësinë e tyre.”


Rruga e rindërtuar ka një gjerësi asfalti prej 5, 5 m dhe bankina prej 0, 5 m. Ajo është e pajisur me të gjithë elementet e nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujrave të bardha, mure mbajtës, tombino dhe vepra të tjera arti.


Z. Beci tha se me rikonstruksionin e kësaj rruge janë përmirësuar ndjeshëm kushtet e transportit dhe është shkurtuar koha e udhëtimit drejt Elbasanit dhe Tiranës. Nga rindërtimi i kësaj rrugë theksoi ai, do të përfitojnë jo vetëm banorët e komunës së Bradasheshit, por edhe vizitorët e shumtë nga kryeqyteti dhe Elbasani, pasi zona ofron një peizash të mrekullueshëm malor.


Rruga “Balëz-Letan”’ me gjatësi 4.6 km është një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit me financim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Europiane për Investim (BEI) dhe fondeve IPA të BE-së.