Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 25 korrik 2014

Këshilli Drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit zhvillon mbledhjen e radhës për vitin 2014


Ditën e premte, datë 25 Korrik 2014, ora 14:00, u mbajt mbledhja e Këshillit Drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, nën drejtimin e Z.Niko Peleshi, Zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, në cilësinë e Kryetarit të këtij Këshilli. Në mbledhje ishin gjithashtu të pranishëm:


Znj. Klajda GJOSHAMinistre e Integrimit Europian
Z. Fadil NASUFIKryetar i Bashkisë Berat
Z. Ilir KROSIKryetar i Bashkisë Peshkopi
Z. Fatbardh PLAKUKryetar i Shoqatës së Komunave dhe Kryetar i Komunës Farkë, Tiranë
Z. Harilla MILEKryetar i Komunës Qendër, Fier

Mbledhja kishte në rend të ditës miratimin e raportit të aktivitetit të FSHZH-së për 6-mujorin e parë të vitit 2014 si dhe buxhetit të rishikuar për vitin 2014.



Prezantimi i aktivitetit të 6-mujorit të parë të FSHZH-së për vitin 2014, u paraqit nga Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në fjalën e tij Z. Beci përmendi si arritje të kësaj periudhe menaxhimin e suksesshëm të Programeve “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale” dhe Programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale”, mbylljen me sukses të projektit të rrugëve dytësore, të financuar nga CEB, menaxhimin e disa projekteve të reja të financuara nga FZHR për zonat rurale në bregdetin e jugut, 2 projekte të reja në rrugët rajonale të Tiranës, si dhe zbatimin e disa projekteve të vogla në kuadër të programeve të bashkëpunimit ndërkufitar.


Z. Beci në prezantimin e tij vlerësoi performancën e mirë të institucionit në zbatimin e projekteve, në menaxhimin e fondeve të vëna në dispozicion si dhe në gjenerimin e burimeve të reja të financimit.


Çështja tjetër e trajtuar nga Z. Beci në këtë mbledhje kishte të bënte me rishikimin e buxhetit të vitit 2014, për përfshirjen në buxhet të fondit shtesë të akorduar nga buxheti i shtetit për financimin e hartimit të planeve studimore dhe zhvillimore, si dhe zbatimin e projekteve të dy rrugëve rajonale të Tiranës.


Në fjalën e tij, Z. Peleshi vlerësoi ritmin e lartë të realizimit të investimeve nga FSHZH edhe gjatë këtij gjashtëmujori dhe theksoi rritjen e rolit të FSHZH-së jo vetëm në investimet sektoriale por edhe në ato rajonale në funksion të programit dhe strategjive të reja qeverisëse.


Gjatë diskutimeve të anëtarëve të Këshillit Drejtues, theksi u vu edhe tek nevoja për të intensifikuar aktivitetin që FSHZH po kryen, veçanërisht në rritjen e kapaciteteve të saj për thithjen e fondeve IPA.


Më pas mbledhja vazhdoi me miratimin e aktivitetit të FSHZH-së për 6-mujorin e parë të vitit 2014 dhe buxhetit të rishikuar për vitin 2014 me një shtesë fondi prej 605 milionë Lekë.