Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë më, 25 korrik 2014

Takim mbi furnizimin me ujë të pijshëm të Sarandës dhe zonave në periferi të saj


Me datë 25 korrik 2014. me iniciativën e deputetit Koço Kokëdhima dhe të kryetarit të Bashkisë Sarandë, Z.Stefan Çipa, u organizua, në Zyrën e Deputetit në Tiranë, një takim lidhur me furnizimin me ujë të qytetit të Sarandës dhe zonave në periferi të saj.


Pjesëmarrës në këtë takim ishin Z. Koço Kokëdhima, Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Z. Stefan Çipa, kryetar i Bashkisë Sarandë, Z. Kristaq Puleri, drejtor i Institutit të Ndërtimit, Z. Pajtim Bello, ekspert i sektorit të energjisë, përfaqësues të Institutit Dekliada, si dhe specialistë të FSHZH-së dhe të Bashkisë Sarandë, në sektorin e ujësjellësve.



Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi përmirësimin e furnizimit me ujë të qytetit të Sarandës dhe zonave periferike të saj, pasi gjendje e furnizimit me ujë është mjaft e keqe.


Aktualisht qyteti i Sarandës ka një popullsi prej 40.000 banorësh që furnizimin me ujë e plotësojnë kryesisht nëpërmjet depozitave dhe pompave individuale. Mbështetur mbi planifikimet urbane rezulton që në 30 vitet e ardhshme numri i banorëve në Sarandë të arrijë shifrën 65.000 – 70.000 banorë pa llogaritur pushuesit verorë.


Z. Beci në fjalën e tij tha se duhej të shikohej mundësia e përfshirjes së projekteve të ujësjellësve në të cilët është angazhuar FSHZH në zonën e Sarandës, në zgjidhjen afatgjate të furnizimit me ujë të të gjithë zonës.


Burimet e Tatzatit dhe të “Syrit të Kaltër” u diskutuan si dy variantet e mundshme ku mund të ndërtohet një linjë furnizimi ujësjellësi rajonal me gravitet i cili shton sasinë e ujit në depozita duke bërë të mundur zero kosto në përdorimin e energjisë elektrike. Parimisht u ra dakort që burimet e Tatzatit janë një mundësi për zgjidhje afatgjatë të problemit të furnizimit me ujë.


Në fjalën e tij Z. Kokëdhima tha se në takimin e ardhshëm duhet të paraqiten dy variantet, ai i Tatzatit dhe i “Syrit të Kaltër” me të dhëna të hollësishme teknike dhe pastaj të diskutohet me ministritë e linjës për problemet që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e rezervave ujore të këtyre burimeve nga hidrocentralet rajonale dhe përdorimin e ujit për vaditje.