Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

18 korrik 2014

Nëpër rrugën e re “Llongo-Koshovicë”


Fshatrat Llongo dhe Koshovicë të Komunës Dropull i Sipërm në rrethin e Gjirokastrës, ka rreth një vit që kanë akses në rrugën e rikonstruktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Rruga e re, që është në periudhën e garancisë së punimeve, ka bërë të mundur lidhjen me qendrën e komunës dhe lidhjen me rrjetin rrugor nacional përmes rrugës Kakavijë – Gjirokastër. Ky investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit është kryer në kuadër të PRRDL-së, me financim nga Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID).


Përpara këtij investimi gjendja e rrugës ka qënë shumë e keqe, me gropa dhe kalohej me vështirësi nga automjetet. Në periudhën e shirave në pjesën më të madhe të saj rruga bllokohej dhe bëhej e pakalueshme për shkak të amortizimit.



Rruga e re me gjatësi 5,5 km, ka një gjerësi asfalti prej 3.5 m, dhe me bankina anësore në të dy krahët prej 0.5 m. Projekti ka parashikuar zgjerime të rrugës për të mundësuar ndërrimin e mjeteve. Ajo është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës përfshirë sinjalistikën vertikale dhe horizontale, mbrojtëse metalike, kanalizimet e ujrave të bardha, vepra arti, tombino etj.


Infrastruktura e përmirësuar po jep rezultate të prekshme për komunitetin e kësaj zone, duke nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorise dhe duke ofruar mundësi reale për një zhvillim social-ekonomik të qëndrueshëm. Vihet re një rigjallërim i jetës në fshat sidomos tani në stinën e verës ku kthehen edhe emigrantët të cilët kanë filluar rindërtimin e shtëpive të vjetra. Banorët tregojnë se është gjallëruar edhe jeta kulturore në fshat, një shembull është rikonstruksioni i godinës së vjetër të shkollës në Koshovicë; shkollë e cila është kthyer në sallë festash. Kisha e Manastirit të Shën Mërisë në Koshovicë, që është monument kulture, tashmë është bërë e aksesueshme jo vetëm për banorët e zonës por edhe për vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj. Rrugës për në Kishën e Koshovicës, vizitorët mund të sodisin edhe pamjet e mrekullueshme të pyjeve të zonës ku vlen të përmendet “Bredhi i Sotirës” (rreth 1740 ha) që është shpallur edhe zonë e mbrojtur.