Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 26 qershor 2014

Takim i bordit ndërkufitar për hartimin e planit të zhvillimit në kuadër të projektit Monteal


FSHZH dhe Organizata Rajonale e Turizmit Bjelasica dhe Komovi, kanë nisur të zbatojnë projektin MONTEAL – “Investim në zhvillimin e qëndrueshëm njerëzor dhe ekonomik, përmes menaxhimit pjesmarrës të turizmit në zonën ndërkufitare të Kelmendit, Shkrelit, Andrijevicës, Beranës dhe Plavës”, me fonde të Instrumentit të Ndihmës së Para-antarësimit të Bashkimit Evropian.


Në këtë kuadër, në datën 25 Qershor 2014, u zhvillua në Kolashin të Malit të Zi mbledhja e parë e Bordit Ndërkufitar. Në takimin, që u zhvillua në Zyrën Turistike të qytetit Kolashin që është edhe seli e Organizatës Rajonale të Turizmit Bjelasica dhe Komovi, partnere e FSHZH-së në zhvillimin e projektit, u përfaqësuan Njësitë e Qeverisjes Vendore të targetuara prej projektit në Shqipëri e Mal të Zi si dhe biznese të turizmit aktive në këtë zonë.



Takimi u hap prej zonjës Tatjana Drakula Medevica, drejtoreshë e RTO-së, e cili uroi mirëseardhjen dhe bëri një prezantim të shkurtër të pjesmarrësve. Znj. Medevica bëri edhe një përmbledhje të shkurtër të hapave të ndërmarra deri më tani prej organizatës që ajo drejton për zbatimin e projektit. Përmirësime në shërbim dhe informim janë disa prej elementëve kryesor që partnerët malazezë janë duke ofruar për komunitetet e targetuara.


Më tej fjalën e mori Z.Ermal Ilirjani, përgjegjës i Njësisë së Zbatimit të Projekteve në Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe njëkohësisht Menaxher i projektit. Z. Ilirjani njohu shkurtimisht të pranishmit me FSHZH-në, me angazhimet e saj në të kaluarën si dhe me ndërhyrjet në zonën e Alpeve. Ai bëri një panoramë të punës së kryer deri më tani për zbatimin e projektit Monteal dhe për harmonizimin e aktivitetit me aktorë lokalë.


Pas prezantimit të Z. Ilirjani, takimin e përshëndeti Z. Gjeto Dukaj, kryetar i Komunës Kelmend. Ai falenderoi për këtë inicitativë dhe shprehu gatishmërinë e njësisë qeverisëse dhe komunitetit për të mbështetur zhvillimin e projektit.


Më tej fjalën e mori Z. Alban Karakaçi, konsulent pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për hartimin e projektit strategjik të zhvillimit të turizmit si dhe për ravijëzimin e kornizës së veprimtarisë promovuese.


Z. Karakaçi bëri një prezantim të metodologjisë që do të përdoret për mbledhjen e informacionit të nevojshëm për hartimin e planit. Prezantimi i tij u pasua nga pyetje e diskutime.