Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

26 qershor 2014

Nëpër rrugën e re “Grekan-Dëshiran-Vlashuk”


Pjesë e asaj çka njihet si “Unaza e Dumresë” është edhe segmenti rrugor “Grekan-Dëshiran-Vlashuk” (13.5 km) që po rindërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të Projektit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale me financim nga BERZH, BEI dhe IPA 2010-2011. Punimet civile kanë hyrë në fazën përfundimtare për pjesën më të madhe të gjatësisë së rrugës. Kanë mbetur vetëm pak kilometra pa asfaltuar në qendër të Komunës Grekan si dhe dhe në qendër të fshatit Dëshiran ku po punohet me sistemimin e kanalizimeve të ujrave të bardha.


Rruga gjarpëron herë mes pyjesh dushku, herë mes fushave të grurit , dhe ullishteve. Në ketë muaj qershori, të kënaqet syri me larminë e ngjyrave , ku mbizotëron e gjelbra dhe e arta. Djana Koçiu një banore e zonës e cila e ka shtëpinë në anë të rrugës u shpreh se janë shumë të kënaqur me rrugën e re; jëmijët për pesë minuta janë në shkollë e si të gjitha amvisat nuk harron të shtojë se nuk ka më pluhur e baltë, kështu që shtëpitë janë gjithmonë të pastra. Jo larg nga shtëpia e Djanës një bari kullot delet në fushën anës rrugës. Bariu quhet Sali Plaku; ai nuk heziton të përgjigjet për rrugën e re. “Është bërë shumë mirë, me trotuare tamam si në qytet. Të gjitha i kemi afër tani, edhe shkollën, edhe qendrën shëndetësore. Nuk e mendonim se do të realizohej një gjë e tillë.” – thotë Z. Plaku. Në qendër të komunës Grekan vazhdojnë punimet me sistemimin e rrugës që kalon në qendër fare pranë shkollës dhe qendrës shëndetësore.



Në fshatin Guras, rruga kalon pranë një liqeni të vogël karstik, që banorët thonë se shërben edhe për vaditje. Nexhmije Çapja, një zonjë shumë energjike ka ngritur një biznes të vogël, një dyqan artikujsh industrial dhe ushqimore. Në katin e dytë ka hapur një bar të vogël i cili ofron një pamje shumë të bukur të lagjes buzë liqenit të vogël. Ajo thotë se me rrugën e re janë rritur edhe të ardhurat e biznesit të saj.


Islam Elezi një banor i fshatit Guras thotë se pa rrugë nuk ka komunikim.Me rrugën e re, thotë ai jemi për 15 minuta në Kozare e për një orë në Elbasan, nga dy orë që ishin më parë. Ndërsa Z. Islam Elezi, kryeplaku i fshatit Dëshiran thotë se me rrugën e re ka filluar të rritet numri i bizneseve të vogla dhe çfarë është më e rëndësishmja duket se i është dhënë fund edhe migrimit të popullsisë. “Rruga sjell qytetërim, pastërti, përmirësim të kushteteve të jetesës”. Në Vlashuk është edhe përfundimi i segmentit të rrugës që po rindërtohet. Pranë digës së Vlashukut mbi lumin Devoll, Pëllumb Ago po ndërton një restorant të ri mbi themelet e të vjetrit. Ai thotë se të ardhurat e biznesit të tij janë rritur shumë me rrugën e re prandaj ka marrë edhe një kredi që të zgjerojë biznesin. Në restorant shërbehet peshk i freskët nga lumi, dhe ai duke qeshur thotë “Po nuk pati peshk lumi, ka Pëllumbi”.


Ai tregon se rruga ka qenë shumë e keqe, ndërsa tani për 20 minuta mbërrin në Kuçovë. “Rruga i ka vlejtur shumë të gjithë banorëve të zonës. Ata kanë filluar të përdorin rrugën e Dëshiranit për të shkuar në Elbasan. Është shtuar prodhimi i produkteve bujqësore pasi kamionët vijnë e i marrin produktet direkt nga fermerët.” – shprehet Pëllumbi.


Banorët tregojnë se është rritur edhe numri i vizitorëve që duan të njohin zonën e Dumresë por edhe të vizitojnë Kishën në Salc Kozares.Tashmë rruga e re jo vetëm që ka rigjallëruar jetën e zonës në aspektin social e ekonomik por e ka kthyer atë në një zonë të aksesueshme për të apasionuarit e natyrës.