Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

13 qershor 2014

Nëpër rrugën e re “Gostimë-Gjyrale-Belsh”


Tashmë ka pak muaj që banorët e Komunës Gostimë, në Rrethin e Elbasanit, kanë filluar të lëvizin në rrugën e rindërtuar “Gostimë-Gjyrale-Belsh”. Rikonstruksioni që po kryhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të Projektit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale është mundësuar nga Banka Europianë për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe IPA 2010-2011.


Rruga me gjatësi 16 km shërben për të lidhur Komunën Gostimë me Komunën Belsh dhe Grekan si dhe me rrugën nacionale “Cerrik-Gramsh”. Përfituesit e drejtëpërdrejtë të këtij investime jannë rreth 11500 banorë të Komunes Gostime.Rruga shtrihet në pllajën e Dumresë, që është e njohur për 85 liqenet e saj karstike; liqene që janë përdorur kryesisht për vaditje pasi zona ka vuajtur nga thatësira; thuhet se edhe toponimi “DUMRE’ do të thotë “Duam re”. Por pavarësisht kësaj duket se Dumreja e ka lënë pas epokën e thatësirave pasi edhe pse në qershor, fushat të kënaqin më gjelbërimin e tyre.


Rruga që po rindërtohet kalon përmes fushave të shumta të grurit të cilat në këtë stinë presin edhe autokombajnat për të korrat e para. E rruga e re duket se e ka shtuar bereqetin, pasi syri nuk të zë as edhe një pëllëmbë tokë të pashfrytëzuar; ngjyra e asfaltit duket sikur shërben si ngjyra e kontrastit për të krijuar atë peizazh të mrekullueshëm rural.



Në rrugën pothuajse të përfunduar shkëmbehen makinat e vogla me autokombajnat, zetorët e karrocat me kuaj të cilat edhe pse të ngarkuar nga pesha e dëngjeve të sanës duket se nuk e ndiejnë peshën e ngarkesës falë rrugës së mirë. Kudo anës rrugës të zë syri shtëpi me kopështe të lulëzuara me fasada të lyera si dhe shumë shtëpi që po ndërtohen.


Segmenti në Gostimë pothuajse ka përfunduar , ndërsa në Gjyrale punimet janë në fazën e ndërtimit të kanalizimeve të ujrave të bardha dhe riparim i rrjetit të ujësjellësit.Borjana dhe Gëzim Hoxha një çift i ri fermerësh thonë se rruga ishte ajo çfarë i nevojitej me të vertetë fshatit të tyre. Ndërsa një grup nxënësish të shkollës nëntëvjeçare “Idriz Pepa” të cilët po shijonin akullore të bëra nga qumështi i lopëve të fshatit të tyre, kur u pyetën së çfarë mendonin për rrugën që po ndërtohej pothuajse njëzëri u përgjigjën “se vijmë më shpejt në shkollë”, e një tjetër nxënës shtoi se nuk i lagen më këmbët e nuk i ka këpucët më me baltë.


Shpëtim Kicka një fermer nga zona thotë se rruga i ka dhënë një zhvillim jetës në fshat, në përgjithësi. Ai tregon se është rritur edhe prodhimi i perimeve pasi tregtarët tani vijnë dhe e marrin mallin direkt nga fermat e tyre.


Taksisti i mësuesve të fshatit, Z. Mestan Rodhe, thotë se rruga ka përmirësuar shumë kushtet e transportit. Koha e udhëtimit është ulur me rreth 80% nga Elbasani në Gjyrale. Ai shton se edhe transporti i frutave dhe perimeve drejt tregjeve të Elbasanit dhe Lushnjes do të bëhet në kushte më të mira dhe më shpejt, duke ruajtur kështu freskinë e domateve, sallatës, pjeshkëve, kumbullave etj.


Rruga e cila do t’i nënshtrohet edhe disa punimeve të tjera si vijëzime, sinjalistikë për të rritur sigurinë e banorëve të zonës, ka filluar të japë impaktet e para positive në rigjallërimin e zonës së Dumresë. Plantacionet me filizat e rinj të ullinjve dhe ndërtimet e reja janë një dëshmi e rigjallërimit të jetës në këtë zonë.