Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 2 maj 2014

Intervistë e Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për Gazetën “Telegraf”, mbi rikonstruksionin e rrugës “Pezë e Madhe-Pezë e Vogël”


Së fundmi ka përfunduar rikonstruksioni i rrugës “Pezë e Madhe-Pezë e Vogël”, duke i krijuar kështu banorëve mundësinë të lëvizin më me komoditet përgjatë këtij segmenti. Janë rreth 6 mijë banorë të komunës së Pezës të cilët prej kohësh vuanin mungesën e investimeve dhe ajo çka të ofronte Peza historike ishte një rrugë e amortizuar me vështirësi kalimi dhe mungesën e sinjalistikës. Duke vlerësuar nevojat e komunitetit, por në anën tjetër edhe rëndësinë e Pezës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërhyri në infrastrukturë. Peza tashmë është lehtësisht e lidhur nëpërmjet një rrugë të asfaltuar e bashkëkohore edhe me aksin nacional Tiranë-Ndroq. Në këtë mënyrë, banorët lëvizin me komoditet edhe në komunat e tjera përreth. Por vetëm një rrugë e re e asfaltuar nuk do të mjaftonte për atë çka meritonte Peza. Për këtë arsye, FSHZH finalizoi këtë investim të vetin edhe në shtrimin e linjës së re të ujësjellësit. Nëpërmjet kësaj linje do të furnizohen depot duke u shpërndarë më pas në çdo familje në këtë komunë. Mungesa e ujit ka qenë një tjetër shqetësim i banorëve i ngritur vazhdimisht duke qenë se Peza është dhe një vend, ku fermerët kërkojnë të investojnë në tokat apo në serat e tyre. Sipas FSHZH-së rruga e re e projektuar me standardet më të mira, do të ofrojë kushte transporti normale duke lehtësuar lidhjen me shërbimet arsimore, shëndetësore dhe tregjet. E gjendur midis Tiranës dhe Durrësit në një pozicion mjaft të përshtatshëm gjeografik, Komuna Pezë përbën jo vetëm një zonë me potenciale të mëdha në prodhimin bujqësor dhe blegtoral, por edhe një destinacion turistik mjaft tërheqës për vizitorët. Punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës do të jenë një tjetër përfitim real për banorët e kësaj zone. Por çfarë të ofron Peza sot? Për këtë pyetëm Drejtorin Ekzekutiv të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, z. Benet Beci.



Z. Beci, përse keni investuar pikërisht në Komunën e Pezës?


Rruga Pezë e Madhe – Pezë e Vogël është rikonstruktuar në kuadër të Programit “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale” i cili ka nisur në vitin 2008 dhe do të vijojë deri në vitin 2017. Përmes këtij programi deri më sot janë financuar 138 segmente rrugore në të gjithë vendin në një gjatësi totale prej 1140 km. Rruga e Pezës ashtu si gjithë segmentet e tjera të financuara i është nënshtruar procesit të përzgjedhjes, i cili mbështetet në një metodologji të Bankës Botërore RED-s (Road Economic Decision Model) dhe mbështetet në një analizë të detajuar shumëkriterëshe. Përmes këtij procesi janë analizuar një sërë të dhënash social – ekonomike dhe teknike të hollësishme si: popullsia, trafiku, gjendja e rrugës, aksesi që krijon, niveli i varfërisë, etj. Njëkohësisht investimi është pjesë e një sërë ndërhyrjesh që FSHZH po kryen në Qarkun e Tiranës, në kuadër të strategjisë së zhvillimit të këtij Qarku.


Si ka lindur nevoja për këtë investim?


Pas nisjes së procesit të inventarizimit të rrjetit rrugor dytësor dhe lokal në të gjithë vendin ne përcaktuam zonat më të nxehta se ku do të ndërhynim, dhe rruga e Pezës ishte një nga segmentet rrugore që kishte nevojë imediate për ndërhyrje. Prej vitesh në këtë segment rrugor nuk ishte kryer asnjë investim edhe pse zona është e njohur për potencialet e mëdha në turizëm, bujqësi, blegtori, etj.

Investimit i ka paraprirë konsultimit me banorët e zonës, përmes të cilit u prezantua projekti teknik dhe u morën sugjerime të cilat u reflektuan në projektin final. Projekti i zbatuar është kompleks dhe ka parashikuar një ndërhyrje të integruar ku përfshihen një sërë elementesh siç është shtrimi i linjës së re të ujësjellësit komunal, sinjalistika rrugore, veprat e artit, etj.

Ecuria e punimeve ka qenë shumë e mirë dhe pavarësisht kompleksitetit të projektit është garantuar përfundimi i punimeve në kohë dhe me cilësi. Do të përmendja këtu ndërtimin e dy urave të reja të cilat zëvendësuan urat e amortizuara të cilat përbënin një rrezik të madh për banorët e zonës. Zëvendësimi i linjës kryesore të ujësjellësit komunal ishte një tjetër sfidë e këtij investimi e cila realizua me sukses dhe përmirësoi ndjeshëm furnizimin me ujë të banorëve të zonës.


Z.Beci, si e garantoni cilësinë?


Gjatë implementimit të Programit “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”, pjesë e të cilit është dhe ky investim, janë aplikuar standardet më të mira dhe bashkëkohore në fushën e infrastrukturës rrugore. Duke filluar që nga projekti teknik i cili përmban të gjithë elementet e nevojshëm, për të vazhduar me supervizimin e punimeve civile, aplikimin e procedurave mjedisore, sigurinë rrugore, periudhën e riparimit të defekteve, etj., garantohet qëndrueshmëria e investimit dhe funksionaliteti i tij. Në të gjithë ciklin e investimit janë ndjekur procedurat sipas FIDIC, një standard ndërkombëtar cili garanton cilësi maksimale në të gjitha aspektet teknike të ndërtimit dhe funksionimit të rrugës. Njëkohësisht supervizimi i punimeve për të gjithë programin kryhet nga një kompani e huaj e përzgjedhur për ndjekjen e zbatimit të punimeve.


Çfarë po ndërtohet aktualisht në Qarkun e Tiranës?


Janë të shumta projektet që po zbaton FSHZH në Qarkun e Tiranës. Aktualisht sapo kanë përfunduar punimet edhe në 3 akse rrugore : Gosë e madhe – Gosë e vogël, Bërxull – Laknas dhe Unaza e re – Kashar. Ndërkohë janë në proces zbatimi edhe 6 segmente të tjera: Qerret- Karpen, Surrel – Qafë Priskë, Rruga e Qesarakes, Stërmas – Picallë – TEG, Prush – Gropaj – Kthesa e Kasharit dhe Vorë – Kuc. Ndërkohë, gjatë këtij viti pritet të fillojnë punimet për rikonstruksionin e rrugës “Rreth Rrotullimi Doganës – Mbikalimi Kashar”.

Njëkohësisht në kuadër të projekteve IPA janë duke u zbatuar disa projekte të tjera si përmirësimi i aksesit në shërbimet publike për grupet vulnerabël në zonat periferike të Tiranës dhe Durrësit, dhe projekti IPATECH i cili synon futjen e teknologjive të reja në sektorin agro-ushqimor.


Cilat janë disa nga projektet, në të cilat FSHZH është e përqendruar këtë vit?


FSHZH është angazhuar në zbatimin e disa programeve dhe projekteve që synojnë përmirësimin e infrastrukturës parësore siç janë rrugët dytësore dhe lokale dhe ujësjellësit rural. Në kuadër të Programit “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale” janë financuar 140 segmente rrugore në të gjithë vendin. Ndërsa në kuadër të Programit të Ujësjellësve Rural janë financuar 45 ujësjellës rural në Qarqet Dibër, Kukës dhe Shkodër.

Gjithashtu FSHZH është duke zbatuar një sërë projektesh me fokus zhvillimin e turizmit si Master Plani i Alpeve, Programi i Investimeve Kapitale të Bregdetit të Jugut, Projekti Monteal, Projekti për rikonstruksionin dhe muzealizimin e Fototekës Kombëtar Marubi, etj.


Impakti social, flasin banorët


Për gjendjen në të cilën ishte rruga e Pezës banorët më shumë se të tjerët janë dëshmitarët realë. Duke qenë se pjesa dërrmuese janë fermerë ne pyetëm për nevojat e tyre dhe çfarë realisht ata prisnin nga ky investim. Fermeri Shpëtim Çeku tha se: “Uji dhe rruga janë mundësia e vetme që më bëjnë të investoj në tokat e mia. Më përpara kushtet e transportit ishin shumë të këqija. Për të mbërritur në Tiranë më duheshin orë të tëra, vështirësi transporti dhe prodhimet e mia zor se arrinin në destinacion. Kjo rrugë më jep më shumë mundësi për të mbërritur në tregjet kryesore të kryeqytetit aty ku mund të çoj dhe të tregtoj prodhimet. Po ajo që dua të kem investim në fshatin tim është një pikë grumbullimi qumështi. Do të jetë një ndihmë e madhe dhe për mua por dhe për shumë familje këtu në Pezë”- u shpreh fermeri. Të tjerë fermerë thanë se ndër prodhimet kryesore të cilat dërgohen në tregjet e qytetit të Tiranës, kryesisht në tregun e ish-Uzinës së Dinamos, janë speci, domatja dhe kastraveci. Prodhimi i të cilave këtë vit ka qenë i bollshëm por dhe fermerët pavarësisht kostove të larta janë shprehur më optimist për tregtimin e tyre. Ajo që të bie në sy në Pezë janë ngritja e serave të mëdha. Fermerët thonë se të punosh në bujqësi arrin të jetosh mirë, sigurisht nëse prodhimet e tyre shiten e jo të mbeten stoqet.


Infrastruktura


Infrastruktura është ajo që zhvillon një vend qoftë ky një qytet në urbanizim e sipër, qoftë edhe komuna rëndësia e të cilave nuk mund të mohohet. Të arrish për pak minuta në shkolla apo në qendra shëndetësore është ajo që presin të gjithë banorët. Një dëshmi e tillë vjen edhe nga banorja Rajmonda Stafa. Ajo thotë se ne rast nevoje, tani shkon për pak minuta tek qendra shëndetësore . Po ashtu për 20 minuta, siç tregon ajo ka mundësi të arrijë në kryeqytet.


Gjimnazistët


Gjimnazistëve nga Peza u duhet të udhëtojnë në Ndroq. Shumë prej tyre nuk kanë arritur të ndjekin arsimin e mesëm për shkak të rrugëtimit të gjatë që demoralizonte prindërit dhe nxënësit sepse pasiguria ishte më e lartë. FSHZH vlerësoi edhe këtë aspekt. Ndërhyrja të jep akses direkt në rrugën nacionale e cila më pas të çon edhe në shkollën e mesme duke i dhënë mundësinë nxënësve. Ina, njëra prej maturantëve shprehet se i duhen vetëm 10 minuta me furgon apo me autobus për të arritur në shkollë. Në fakt, ky komoditet ende është i pamundur për gjimnazistët e kryeqytetit. Shumë prej tyre udhëtojnë më gjatë dhe janë të detyruar edhe të përballojnë trafikun e metropolit. Ina shton se: “Përveç mundësisë që më dha mua rruga e gjithashtu bashkëmoshatareve të mia, unë e shoh Pezën edhe më të zhvilluar nga ana turistike. Mjaft dashamirës të historisë mund ta kenë destinacion të tyre po ashtu të mos harrojmë edhe parkun natyror që ka Peza.”


Peza, destinacion për fundjavën e kryeqytetasve


Peza duhet të shihet edhe si një ndër destinacionet më të mira për fundjavën e kryeqytetasve të cilët dalin nga rutina e një jave të lodhshme për të marrë orë relaksi në ajër të pastër dhe larg smogut të përditshëm. Banorët thonë se gjatë fundjavave ka mjaft qytetarë të cilët i drejtohen Pezës. Por a do të thotë kjo lëvizje një tjetër mundësi për biznesin? A ka njerëz të interesuar në Pezë të investojnë në bare apo restorante?

Naime Dorëzi ka një restorant modest në qendër të Pezës. Ajo thotë se “dua të investoj më tepër në këtë restorant. Prodhimet janë bio dhe të vendit çka më bën të kem më pak kosto në biznesin tim. Po ashtu me ndërhyrjen në rrugë po shoh se interesi për të vizituar Pezën por edhe për të provuar gatimet këtu është më i lartë. Kjo është ajo çka unë pres, ajo që ne presim çdo ditë”. Dhe si Znj. Dorëzi edhe dhjetëra të tjerë banorë shprehin dëshirën për të investuar në një biznes sado modest të jetë ai.


Detaje teknike mbi rrugën


Specialistët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit detajuan të dhënat teknike të kësaj ndërhyrje. Rikonstruksioni, i cili zgjeroi rrugën tashmë përballon edhe fluksin e automjeteve. Punimet për rikonstruksionin e rrugës, me gjatësi prej 5 kilometrash, janë financuar nga FSHZH, qeveria shqiptare dhe donatorë të huaj. Nisur nga ajo që të ofronte Peza e dikurshme me një rrugë që e vështirësonte rrugëtimin, në perspektivën që të hap sot kjo komunë, sollëm të tjera detaje teknike të rrugës. Eksperti i Fondit Shqiptar të Zhvillimit shpjegon se rruga e re ka një gjerësi asfalti prej 5.5 m dhe dy bankina nga 0.5 m. Ajo është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujërave të bardha, mure mbajtës, ura dhe vepra arti. Në zonat e banuara janë ndërtuar trotuare, ndriçim publik dhe hapësira parkimi. Pjesë e këtij investimi është dhe shtrimi i linjës kryesore të ujësjellësit komunal, e cila është krejtësisht e re dhe zëvendëson linjën e vjetër të amortizuar. Linja e re e ujësjellësit ka përmirësuar jashtëzakonisht situatën e furnizimit me ujë, duke garantuar sasinë dhe cilësinë e furnizimit me ujë. Njëkohësisht janë ndërtuar edhe 2 ura të reja dhe dy degëzime rruge që lidhin lagjet me aksin kryesor.


Punimet për rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor kanë përfunduar në fund të muajit mars 2014 dhe kanë zgjatur 14 muaj.


(Edituar nga Ledjana Saliu)