Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 30 mars 2014

Shpallet projekti fitues për “Restaurimin dhe Muzealizimin e Fototekës Kombëtare Marubi”


Me datë 30 mars 2014, në ambientet e Kinema “Milenium” në Shkodër, u zhvillua dëgjesa publike për shpalljen e projekt-idesë fituese për “Restaurimin dhe Muzealizimin e Fototekës Kombëtare Marubi”. Ky aktivitet përmbyll fazën e dytë “Thirrje për Projekt-Propozime” të Konkursit Ndërkombëtar të Projektimit për Fototekën Kombëtare Marubi, që u organizua nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Atelier Albania.


Projekti për Restaurimin dhe Muzealizimin e Fototekës Kombëtare Marubi kryhet në në kuadër të projektit "Menaxhimi i turizmit të qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore të Rajonit të Adriatikut - HERA"; projekti është financuar nga Komuniteti Europian nëpërmjet Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar, IPA Adriatik.


Në këtë dëgjesë publike, morën pjesë, Z. Edi Rama, Kryeministër, Znj. Mirela Kumbaro-Furxhi, Ministre e Kulturës, Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Z. Paulin Radovani, Prefekti i Shkodrës, deputë dhe qytetarë të shumtë të Shkodrës.



Në fjalën e tij,Kryeministri i vendit Edi Rama, ndër të tjera, tha se: “Ne besojmë se duke bërë hapa si ky sot, bëjmë të mundur rritjen e dinjitetit kombëtar dhe forcimin e dinjitetit evropian. Marubët kanë drithëruar botën kur kanë dalë në sy të ekspertëve të huaj. Veprat që do të tregonin patriotizmin tonë mungojnë siç mungon një muze dinjitoz për Marubët. Këtë muze si akt të patriotizmit dhe si fillim i një rruge të re për Shkodrën.”


Znj. Kumbaro Furxhi, Ministre e Kulturës, në fjalën e saj përshëndetëse e cilësoi fototekën “Marubi” si një thesar të cilin “ne nuk duhet vetëm ta sigurojmë, por edhe ta gëzojmë”, duke shtuar se, “në përfundim të këtij muzeu, thesarin e fototekës Marubi synojmë ta regjistrojmë në thesaret e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.”


Aktiviteti vazhdoi me prezantimet e projekt-ide të studiove të përzgjedhura në fazën e parë të Konkursit “Thirrje për Pjesëmarrje” që u zhvillua nga data 7 shkurt 2014 – 28 shkurt 2014, përkatësisht: Atelier4, Biundici, Casanova+Hernandez, Lorenco&CO, dhe Zvi Hecker. Juria e Konkursit Ndërkombëtar, e përbërë nga personalitete të spikatura të fushës së projektimit dhe vendimmarrës të nivelit më të lartë të qeverisë qëndrore, pas pyetjeve të drejtuara pas çdo prezantimi, bëri vlerësimin e projekt-ideve konkuruese dhe shpalli fituese projekt-idenë e prezantuar nga studio holandeze “Casanova & Hernandez”.


Projekti i studios holandeze synon të nxisë një dialog të pasur mes së shkuarës dhe së tashmes, tradicionales dhe modernes. Trashëgimia tradicionale do të dalë në pah nëpërmjet restaurimit të ndërtesës historike dhe ruajtjes së elementëve dhe strukturave hapësinore, pa transformuar përmasat ose ndërmarrë ndonjë ndryshim rrënjësor të ambienteve të brendshme.Modernia në projekt shprehet nëpërmjet instalimit të pesë “dhomëza funksionale”, të ndërtuara me materiale të parafabrikuara dhe të çmontueshme, të cilat do të shërbejnë si pjesë e dekorit të brendshëm ose si elementë artistikë. Projekti parashikon që muzeu të shtrihet edhe në hapësirën publike ku njëra nga këto dhomëza funksionale, duke u vendosur përpara muzeut do të shërbejë si vitrinë promocionale, për publikun.


Fituesi do të zhvillojë më tej projektin e zbatimit që pritet të dorëzohet në maj 2014 si dhe do të mbikqyrë zhvillimin e ndërtimit të Muzeut Marubi.