Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Shkodër, më 11 mars 2014

Fondi Shqiptar i Zhvillimit fillon punën për zbatimin e projektit “MONTEAL”


Më datë 11 mars 2014, Fondi Shqiptar i Zhvillimit prezantoi në qytetin e Shkodrës fillimin e zbatimit të projektit MONTEAL. Projekti do të promovojë zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale përmes krijimit të ofertave të përbashkëta turistike, dhe infrastrukturës së përmirësuar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.


Projekti financohet nga Programi Ndërkufitar IPA Shqipëri Mal i Zi, dhe do të zgjasë rreth 16 muaj. Për të mundësuar një implementim të suksesshëm të projektit partnerët zbatues do të bashkëpunojnë me Komunat e Kelmendit e Shkrelit, Bashkinë e Plavës, Bashkinë e Andrijevicës dhe Bashkinë e Beranës dhe VIS Albania.


Përmes investimesh, që zhvillojnë dhe promovojnë infrastrukturën turistike parësore dhe atë ndihmëse si dhe shërbimet e përbashkëta që inkurajojnë tek turistët përdorimin e ofertës turistike ndërkufitare, synohet rritja vlerës së aseteve në zonën e synuar dhe krijimi i i një oferte të përbashkët turistike në zonën ndërkufitare.


Në këtë takim morën pjesë, Z. Alfred Dalipi, Zv.Ministër i Turizmit dhe Zhvillimit Urban, përfaqësues të Ministrisë së Integrimit, drejtues e specialistë të FSHZH, partnerët në zbatimin e projektit nga Mali i Zi, përfaqësues nga UNDP, përfaqësues të Prefekturës Shkodër, Këshillit të Qarkut, dhe Kryetarët e Komuna pjesëmarrëse në projekt.



I pranishëm në këtë takim ishte dhe Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i FSHZH, i cili ndër të tjera tha:


“Zhvillimi i turizmit në përgjithësi dhe atij malor në veçanti vijon të mbetet një nga prioritetet parësore të punës së FSHZH. Deri më sot janë një sërë programesh dhe investimesh të cilat kanë nxitur dhe mbështetur turizmin si një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomive lokale dhe asaj kombëtare. Ky projekt është vetëm një element i ndërhyrjes së integruar që po ndërmerr FSHZH edhe në kuadër të planit për zhvillimin e Alpeve. Ne synojmë që këtë projekt ta aplikojmë në shkallë të gjerë në të ardhmen edhe në zona të tjera, duke promovuar një model pozitiv të bashkëpunimit ndërkufitar”.


FSHZH ka bërë të mundur investime të rëndësishme në zhvillimin e sektorit të turizmit në të gjithë vendin. Këto investime kanë konsistuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, furnizimin me ujë të pijshëm, hartimin e planeve të zhvillimit të turizmit dhe ngritjen e qendrave të informimit dhe zhvillimit të turizmit, etj.


Pjesëmarrësit në takim vlerësuan fillimin e punës në kuadër të këtij projekti, duke shpresuar se rezultatet e tij do të jenë të prekshme për komunitetin dhe do të nxisin zhvillimin e turizmit në të dy anët e kufirit.