Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë më 19-20 shkurt 2014

Workshop mbi procedurat tregtare dhe financiare të ujësjellësave rural (Raportimi dhe Sistemi i Treguesve të Performancës)


Në datat 19 dhe 20 shkurt 2014, Njësia e Projekteve Hidroteknike zhvilloi në Qendrën e Trajnimeve të FSHZH-së workshop-in e me temë "Raportimi dhe Sistemi i Treguesve të Performancës për Ujësjellësat Rural". Ky seminar u organizua në kuadër të Programit të Ujësjellësave Rural financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) me komunat e përzgjedhura nga Qarqet Veriore të Shqipërisë. Programi "Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale" konsiston në ndërtimin e 30 skemave të ujësjellësave rurale në 54 fshatra në Qarqet Dibër, Shkodër dhe Kukës, duke kontribuar në përmirësimin e jetesës së rreth 40.000 banorëve.


Programi ka një kohëzgjatje 6 vjeçare dhe përfundon në fund të vitit 2014. Vlera e programit është 11.66 milionë Euro (7.5 milionë + 1.5 milionë) për masat investuese, 1 milionë Euro Grant për ngritje kapacitetesh, masat shoqëruese, dhe 1.66 milionë Euro kontribut i Qeverise Shqiptare & përfituesve të drejtpërdrejtë. Ky program synon të furnizojë popullsinë e fshatrave të përfshira në program me sasi të mjaftueshme uji të pastër higjenikisht, mbi bazën e mbulimit të shpenzimeve dhe tarifave të pranueshme nga komuniteti.


Pjesëmarrës në këtë workshop ishin 16 përfaqësues të komunave Kastriot, Bujan, Postribë, Qendër Malësi e Madhe, Arras, Shkrel, Baz, Qelëz, Malzi, Selishtë, Bytyç, të Qarqeve Kukës , Dibër dhe Shkodër, të cilat kanë përfituar mga ky Program. Drejtimi i këtij aktivitetit u realizua nga Z. Dritan Pistoli, Znj. Vojsava Poçi dhe Znj. Blerta Duro.



Objektivi i workshop-it ishte ndërtimi i kapaciteteve me synim menaxhimin e funksionimit dhe të mirëmbajtjes të skemave të furnizimit me ujë të pijshëm mbi baza të qëndrueshme tregtare dhe financiare.


Fokusi i këtij trajnimi ishte aftësimi i personelit tregtar dhe financiar të Njësive të Furnizimit me Ujë në kryerjen e aktiviteteve për përcaktimin e treguesve të performancës dhe raportimin e aktiviteteve financiare dhe tregtare të Shërbimit të Furnizimit me Ujë të Komunës.


Në trajnim komunat pjesëmarrëse analizuan treguesit e performancës në menaxhimin e ujësjellësit, pikat e forta dhe pikat e dobëta në menaxhim duke i krahasuar këto tregues njëkohësisht edhe midis komunave të tjera për të evidentuar problemet dhe zgjidhjet e tyre në të ardhmen. Programi i Ujësjellsave Rural i kushton një rëndësi të veçantë menaxhimit të ujësjellësave rural bazuar në procedura standarde tregtare dhe financiare. Në këtë kontekst trajnerët e FSHZH-së, në kuadër të komponentit të ngritjes së kapaciteteve ofrojnë këto trajnime që synojnë rritjen e aftësive menaxhuese të stafit të Njësive të Furnizimit me Ujë pranë komunave pjesëmarrëse në Programin e Ujësjellësave Rural.