Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

Tiranë, më 29 janar 2014

Këshilli Drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit miraton buxhetin për vitin 2014


Ditën e mërkurë, datë 29 janar 2014, ora 15.00, u mbajt mbledhja e Këshillit Drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, nën drejtimin e Z.Niko Peleshi, Zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, në cilësinë e Kryetarit të këtij Këshilli. Në mbledhje ishin gjithashtu të pranishëm:


Znj. Klajda GJOSHA              Ministre e Integrimit Europian

Znj. Eglantina GJERMENI    Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

Z. Arben AHMETAJ                 Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes    

Z. Edmond PANARITI            Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave

Z. Fadil NASUFI                      Kryetar i Bashkisë Berat

Z. Ilir KROSI                             Kryetar i Bashkisë Peshkopi

Z. Fatbardh PLAKU                Kryetar i Shoqatës së Komunave dhe Kryetar i Komunës Farkë, Tiranë

Z. Harilla MILE                        Kryetar i Komunës Qendër, Fier

 



Mbledhja kishte në rend të ditës miratimin e raportit të aktivitetit të FSHZH-së për vitin 2013 si dhe buxhetit të këtij institucioni për vitin 2014.


Prezantimi i aktivitetit të FSHZH-së për vitin 2013, u paraqit nga Z. Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në fjalën e tij Z. Beci përmendi si arritje të vitit 2013 menaxhimin e suksesshëm të Programeve "Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale", dhe Programit "Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale".


Z. Beci në prezantimin e tij vlerësoi performancën e mirë të institucionit në zbatimin e pojekteve, në menaxhimin e fondeve të vëna në dispozicion si dhe në gjenerimin e burimeve të reja të financimit. Buxheti i shpenzuar gjatë vitit 2013 paraqitet në shifrat e 83 milionë USD.


Gjatë vitit të kaluar janë financuar punimet për rikonstruksionin 138 segmenteve rrugore dytësore & lokale dhe urave, me një gjatësi totale prej rreth 1140 km, duke ndikuar drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, përmirësimin e shërbimeve sociale dhe në rritjen e shanseve për punësim në komunitetet përfituese.


Gjithashtu gjatë vitit 2013, janë financuar 29 skema ujësjellësish duke mundësuar furnizimin me ujë të pijshëm për 51 fshatra në qarqet Dibër, Kukës dhe Shkodër.Gjatë vitit 2014 pritet të fillojë edhe zbatimi i Programit të Ujësjellësave Ruralë III që do të financohet nga KfW dhe Bashkimi Europian nëpërmjet IPA 2013.


Një aktivitet tjetër i trajtuar nga Z. Beci në këtë takim kishte të bënte me angazhimin e stafit të FSHZH me vlerësimin e nevojave për ndërhyrje dhe përgatitjen e projekteve të reja, aplikimin pranë donatorëve dhe sigurimin e fondeve për financim. Gjithashtu një vëmendje e veçantë, sipas Z. Beci, i është kushtuar gjatë vitit 2013 edhe përgatitjes së programeve të reja të investimeve, me fokus në zhvillimin urban dhe turistik, në funksion të programit dhe strategjive të reja qeverisëse. Këto aktivitete theksoi Z. Beci janë koordinuar më së miri nga Departamenti i Zhvillimit Rajonal që është tashmë një strukturë e konsoliduar pranë FSHZH-së.


Gjatë diskutimeve të anëtarëve të Këshillit Drejtues, u vu theksi tek nevoja për të intensifikuar aktivitetin që FSHZH po kryen, veçanërisht në planifikimin e ndërhyrjeve të reja, të integruara në shkallë të gjerë, ku të reflektohen politikat dhe strategjitë e zhvillimit të qeverisë së re. Në këtë kuadër nga ana e Këshillit Drejtues, u la si detyrë përgatitja e një draft-strategjie institucionale që do të synojë të rishikojë rolin dhe pozicionin e Fondit si një agjenci gjeneruese dhe zbatuese e planeve të gjera të investimeve në nivel lokal, duke koordinuar fondet dhe aktorët përgjegjës në nivel qendror dhe lokal.


Më pas mbledhja vazhdoi me miratimin e aktiviteteve të vitit 2013 dhe diskutimin e draft-buxhetit. Këshilli Drejtues pas këtyre diskutimeve miratoi buxhetin për vitin 2014 me një vlerë prej 77.3 milionë USD.