Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

27 janar 2014

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro Furxhi vizitojnë Fototekën "Marubi"


Gjatë vizitës që bëri ditën e shtunë me datë 25 janar 2014, në qytetin e Shkodrës, Kryeministri Rama u ndal edhe në Fototekën “Marubi”. Gjatë kësaj vizitë ai shoqërohej nga Ministrja e Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro Furxhi.


Gjatë prezantimit që iu bë projektit për restaurimin e godinës së Fototekës Marubi, Ministrja Kumbaro e informoi Kryeministrin se edhe pse godina e Fototekës iu dha prej pronarëve Ministrisë së Kulturës, që prej dy vjetësh është lënë pas dore. "E lanë kështu.Të vetmet restaurime që janë bërë, janë ato jashtë, e që nga ai moment s’ka ndodhur asgjë," - tha Ministrja Kumbaro.



Kryeministri Edi Rama premtoi kthimin e Fototekës Kombëtare “Marubi” në një pikë referimi të kulturës shqiptare. "Ne këtë do ta bëjmë model. Kjo duhet të transformohet në një pikë referimi për të gjithë Shqipërinë dhe për gjithë çfarë e vizitojnë, apo duan ta dinë se çfarë është Shqipëria."


Ristrukturimi i godinës aktuale do të realizohet në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në kuadër të projektit "Menaxhimi i turizmit të qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore të Rajonit të Adriatikut - HERA". Projekti është i financuar nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar, IPA Adriatik. Në prezantimin e tij, Z. Blendi Bushati, Drejtor i Departamentit të Zhvillimit Rajonal pranë FSHZH-së, theksoi se objekti i këtij projekti do të jetë përmirësimi dhe modernizimi i Fototekës Marubi dhe futja e saj në një rrjet të përbashkët me trashëgimi të tjera kulturore të rajonit të Adriatikut.


Ndërhyrja kryesore do të jetë përmirësimi në infrastrukturën e brendshme sipas një dizajni modern dhe elementeve bashkëkohore. Fototeka Marubi do të jetë pjesë e një itinerari turistik të vendeve të Adriatikut, ku do të përfshihen objektet e trashëgimisë kulturore të përbashkët, që do të rikonstruktohen dhe pajisen për t’u bërë të arritshme nga vizitorët.