Faqja Kryesore
Rreth nesh
Aktivitete
Prokurime
Info & Lajme
Publikime
Rreth Shqipërisë
Kontakt
Info & Lajme

22 janar 2014

Shënime nga një udhëtim pune në komunën Qendër Koplik


Njësia e Projekteve Hidroteknike të FSHZH-së është Njësia që menaxhon Programin e Ujësjellësave Rural që po zbatohet nga FSHZH me financim të Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, Qeverisë Shqiptare dhe Kontributit Lokal Kjo Njësi ndjek zbatimin e Programit të Ujësjellësit Rural që nga faza e përgatitjes së Projektit deri në dorëzimin e investimit ku pjesë e masave shoqëruese është edhe marrja e vlerësimit të Përfituesve të Ujit mbi impaktin e këtij investimi në jetën e tyre të përditshme. Ky ishte edhe qëllimi i vizitës që bëri kjo Njësi në Komunën Qendër Koplik, me datën 22 janar 2014.


Komuna Qendër Koplik ndodhet në Rrethin e Malësisë së Madhe, Qarku Shkodër. Kjo është një nga komunat që ka përfitur nga Programi i Ujësjellësave Rural. Tashmë kjo komunë ka 6 muaj që ka një ujësjellës të ri i cili furnizon për 24 orë në ditë me ujë higjenikisht të pastër 6 fshatrat e saj: Dobër , Kalldrun, Jubicë, Stërbeq, Kamicë, dhe Fllakë, duke plotësuar nevojat e furnizimit me ujë të pijshëm të një komuniteti prej rreth 5425 banorësh.



Takimin e parë punonjësit e NJPH e patën në Zyrat e komunës, me Z. Isa Rama, Kryetar i kësaj komune. Ai i tregoi ekipit me entuaziazëm se Njësia e Furnizimit me Ujë (NJFU) e komunës ishte plotësuar me personelin e nevojshëm dhe i ftoi ata të takoheshin me Ridvanën, e cila është edhe përgjegjësja e NJFU-së. Ridvana e priti ekipin në zyrën e re të NJFU-së, të pajisur rishtazi, dhe u paraqiti atyre Librin e Rregjistrit të Abonentëve ku ishin hedhur të gjitha të dhënat sipas fshatrave për çdo abonent. Kjo Njësi ka filluar punën që në qershor 2013 dhe numri i abonentëve te kontraktuar është rreth 450 dhe ky numër parashikohet të rritet deri në 850 abonentë që është edhe kapaciteti i projektuar i ujësjellësit, Ridvana shpjegoi gjithashtu, se arkëtimi i konsumit të ujit është kusht i rëndësishëm që komuna ka vënë për të siguruar ujë të pijshëm pranë çdo familjeje. Kjo do të garantojë një shërbim cilësor të furnizimit me ujë 24 orë në ditë dhe për të gjithë konsumatorët.


Më tej ekipi i NJPH vazhdoi me vizitat pranë familjeve të përfituesve të ujit. Në këtë vizitë në terren, ekipit iu bashkua edhe Marjani, që është punonjësi përgjegjës i NJFU-së për mirëmbajtjen e ujësjellësit; Marjani ka ndjekur të gjitha trajnimet e organizuara nga FSHZH mbi operimin dhe mirëmbajtjen e ujësjellësve. Grupi u ndal në fshatin Kalldrun për të bashkëbiseduar me disa prej banorëve. Ajo çfarë binte në sy ishte se të gjitha oborret kishin të instaluar çezmet e ujit të pijshëm; banorët thanë se puset e mëparshme nuk përdoreshin më për të marrë ujin e gatimit, çka ishte një lehtësim shumë i madh për gratë. Bardha dhe Alma dy nga banoret që pritën me shumë zemërgjerësi në shtëpitë e tyre ekipin thanë se uji i çezmës ishte shumë më i mirë krahasuar me ujin e puseve të cilin ishin detyruar ta zienin gjithmonë para përdorimit nga frika e papastërtive.


Z. Bashkim, një banor tjetër që mirëpriti grupin në shtëpinë e tij, tha se ishte shumë i kënaqur me furnizimin me ujë. Pyetjes se nëse i kishin instaluar tubacionet e ujit të pijshëm brenda banesës, ai me sinqeritet iu përgjigj se në fakt dëshironte të sigurohej se furnizimi do të vazhdonte të ishte i rregullt për një kohë të gjatë para se të bënte instalimet përfundimtare. Por shtoi se pavarësisht se muajt e qershorit dhe korrikut të kaluar kishin qenë të thatë, përsëri uji nuk ju kishte munguar 24 orë.


Si gjithmonë mikpritja e banorëve nuk mungoi edhe kësaj here. Banorët e Kalldrunit e ftuan ekipin në shtëpitë e tyre edhe pse nuk ishin njoftuar më parë për këtë vizitë. Z. Hysen, banor po në Kalldrun e ftoi grupin të shihte mini-kantinën e tij ku prodhonte verë dhe raki me rrush që vinte direkt nga vreshta përballë shtëpisë. "I lumtë Fondit Shqiptar të Zhvillimit pasi na ka zgjidhur një problem shumë të madh me ujin e pijshëm. Përpara investimit na duhej të shkonin në qytetin e Koplikut për të siguruar ujin"-u shpreh ai.


Gjatë rrugëtimit për në depon e ujit të binin në sy vreshtat dhe arat e mbjella me bimë medicinale, kryesisht sherebelë. Depoja e ujit ndodhet në një zonë paksa të izoluar nga fshati por ruajtja e sa është garantuar 24 orë nga komuna. Dukej sikur mes asaj fushe të zbrazët depoja e ujit ishte një oaz që premtonte rigjallërimin e zonës. Ndoshta ndonjë ditë në këto toka shkëmbore pranë depos së ujit do të lulëzojë edhe lavanda, pasi banorët sapo kishin nisur kultivimin e saj në parcela të vogla.